Historiani arab El-Verdi shkruan për murtajën e vitit 1348

Lajme Shkencë

Ebu Hafs Omer Ibn el-Verdi, lindi në Palestinën veriore midis viteve 1290 dhe 1292. Pas shkollimit në shkollat ​​muslimane në Siri, ai ishte emëruar zëvendës kadi / gjyqtar fetar, i gjykatës fetare në Alepo deri në vitin 1343, kurse më pas ishte përkushtuar shkrimit. Veprat e tij të mbledhura mbulojnë një larmi temash, duke përfshirë gramatikën, historinë, drejtësinë, mistikën dhe interpretimin e ëndrrave.

Edhe pse murtaja erdhi në Palestinë në maj ose qershor të viti 1348, el-Werdi iu nënshtrua sëmundjes më 18 mars 1349 në Alepo, afër vendlindjes së tij. Prandaj, vepra e tij ‘Risaletun-neba anil-weba’ (Traktati mbi raportin e infeksionit), u shkrua në mes të epidemisë. Për më tepër, el-Werdi ishte i vendosur në një pozitë gjeografike ideale për të komentuar transmetimin e murtajës nga Lindja në Perëndim. Dijetarët besojnë se, sikurse Gabriele de Mussisi, ai i përdori raportet rreth murtajës, të cilat i mori nga kolegët e tij tregtarë. Duke përdorur një stil tipik të shkrimit skolastik arab, el-Werdi ka futur vargje poetike në tregim për ta bërë tekstin sa më bindës.

**********

Allahu është mbrojtësi im në çdo fatkeqësi. Vetëm Allahu është i mjaftueshëm për mua. A nuk është Allahu mbrojtës i mjaftueshëm për robin e Tij? O Allah, paqja dhe bekimi Yt qoftë mbi Muhamedin (savs). Na ruaj nga e keqja e murtajës dhe na jep strehim.

Murtaja është e frikshme dhe vrasëse. Filloi në vendin e errësirës. Oh, çfarë mysafire! Po vazhdon tash 15 vjet. Kina nuk u ruajt nga ajo, dhe as fortesa më e fortë nuk mund ta refuzonte atë. Murtaja goditi indianët në Indi. Ajo u kthye në Sind (provincë e Pakistanit). I rrëmbeu me dorën e saj dhe i robëroi edhe tokat Uzbeke. Sa telashe bëri në Transokian! Murtaja u rrit dhe u përhap më tej. Ajo i sulmoi Persianët, e shtriu hapin në tokën e Kitajes dhe u kthye në Krime. Ajo nxitoi në Rum me zjarr të gjallë dhe ndezi zemërim në Qipro dhe në ishuj. Murtaja e zhduku njerëzimin në Kajro. E hodhi shikimin në Egjipt, dhe aty u ndal, njerëzit ishin të zgjuar. Pengoi çdo lëvizje në Aleksandri. Murtaja e bëri punën e saj si krimbi i mëndafshit. Fabrikës së tirazës ia hoqi bukurinë e saj, kurse me punëtorët e saj e bëri atë që ju kishte vendosur fati.

Oj Aleksandri, kjo murtajë është si luani që t’i shtrinë duart.

Me durim përballoje fatin e murtajës, e cila nga 70 burra i lë vetëm 7.

Pastaj murtaja u zhvendos në Egjiptin e Epërm. Stuhinë e saj e dërgoi më tutje në Berka (vend në Libi). Murtaja e sulmoi Gazën dhe e tundi fuqishëm Askalonin. E sulmoi Akran. Fatkeqësia erdhi në Jerusalem dhe e mori zekatin [me shpirtra njerëzish]. Mbërriti tek  ata që kishin kërkuar strehim në xhaminë el-Aksa, e cila qëndron pranë Kupolës në shkëmb. Nëse nuk do të ishte hapur dera e mëshirës, fundi i botës do të kishte ndodhur në një çast. Atëherë ajo i përshpejtoi hapat e saj dhe e sulmoi të gjithë rrafshinën bregdetare. Murtaja e robëroi Sidonin dhe papritmas zbriti në Bejrut, me dinakëri. Më pas, shigjetat e saj e qëlluan Damaskun. Atje, murtaja mbretëroi si një mbret në fron, me të gjitha forcat, duke mbytur çdo ditë më shumë se një mijë persona dhe duke e shkatërruar popullsinë. Ajo e shkatërroi njerëzimin me dallgën e saj. O Allahu i Madhëruar, kurseje Damaskun që ta vazhdojë udhëtimin e tij dhe ta shuajë flakën e murtajës, që ajo të mos t’u afrohet pemishteve të tij aromatike… Murtaja u ambientua në Hama, kurse brigjet e lumit Asi u bënë të ftohta për shkak të etheve të murtajës. (…)

Murtaja hyri në Ma’arat el-Nu’man dhe i tha qytetit: “Ju jeni të sigurt nga unë. Hama është i mjaftueshëm për mundimin tuaj. Jam e lumtur me këtë.” (…)

Murtaja dhe helmi i saj u përhapen në Sarmin (qytezë në veri të Sirisë). Ajo i dëboi sunitët dhe shiitët. I mprehu shtizat e saj në kokat sunite dhe përparoi si një ushtri. Murtaja u përhap në tokën shiite, duke shkatërruar gjithçka pas saj. Antiokisë murtaja ia dha hisen e saj. Pastaj u largua shpejt, me turp si një njeri që e shtyp kujtesën e të dashurës së tij. Pastaj i tha Shejzarit dhe al-Harimit: “Mos kini frikë nga unë. Para se të vij dhe pasi të largohem, lehtë mund të më harroni për shkak të fatkeqësisë. Dhe vendet e shkatërruara, me kalimin e kohës do të shërohen nga murtaja.” Pas kësaj, murtaja e përuli Azazin dhe nga populli i al-Babit i mori dijetarët e tyre… Pastaj, murtaja e kërkoi Alepon, por dështoi. Me mëshirën e Zotit, murtaja ishte ndëshkimi më i butë. . . .

Është e mahnitshme se si ajo i ndoqi njerëzit në çdo shtëpi! Kur njëri prej tyre pështynte gjak, të gjithë në shtëpi ishin të sigurt për vdekjen. Pas dy-tre netësh, tërë familjen e çonin në varreza.

Burimi: Michael W. Dols, “Ibn al-Wardi’s Risalah al-naba’ ‘an al-waba’, a Translation of a Major Source for the History of the Black Death in the Middle East” in Near Eastern Numismatics, Iconography, Epigraphy and History: Studies in Honor of George C. Miles, ed. Dickran K. Kouymjian (Beirut: American University of Beirut, 1974), 447–51.

Burimi: Dialogos.ba

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *