Presidenti Erdogan optimist për një trend në rënie të pandemisë COVID-19 në prill

Lajme

Kreu i Shtetit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mori pjesë të mërkurën me videokonferencë në Mbledhjen e Këshillit Shkencor për Koronavirusin.

Pasi u informua nga ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca dhe ministri i Arsimit Kombëtar, Ziya Selçuk, në lidhje me vendimet dhe masat në fushat që ata mbulojnë, Erdogani falënderoi anëtarët e Këshillit Shkencor për luftën e deritanishme me pandeminë COVID-19.

Ai tha se puna dhe sugjerimet e Këshillit Shkencor kanë një rol shumë të madh në masat e ndërmarra në kohë nga Turqia kundër sëmundjes në fjalë dhe në përhapjen relativisht të ngadaltë të saj gjatë këtij procesi.

“Kombi ynë i ka pritur me mirëkuptim të madh dhe i ka respektuar në nivel të konsiderueshëm masat që ne morëm në kuadër të luftës me këtë virus. Edhe pse në shoqërinë tonë ka ende nga ata që nuk e ka përvetësuar ende madhësinë e rrezikut, ne jemi përgjithësisht të kënaqur me ndjeshmërinë e kombit tonë. Unë jam i bindur se edhe ata që nuk janë ndërgjegjësuar ende për vitalitetin e çështjes dhe rëndësinë jetike të saj, do ta dallojnë rrugën e duhur brenda një kohe të shkurtër falë sugjerimeve dhe këshillave tuaja”, u shpreh Presidenti Erdogan.

Lideri turk vuri në pah se qëndrimi inteligjent, konstruktiv, i qartë dhe bindës që shkenca dhe shkencëtarët shpalosën në këtë proces, do të jetë shembull edhe në fushat e tjera.

“Shkalla e rasteve dhe vdekjeve në vendin tonë nxjerr në pah një trend që vjen duke u zvogëluar. Simulimet në lidhje me pjesën e parë të muajit prill tkurren edhe pak më shumë me njoftimin e rasteve dhe vdekjeve në fund të çdo dite. Sakrifica e bërë nga punonjësit tanë të shëndetësisë në këtë proces qëndron mbi çdo vlerësim. Unë i përgëzoj edhe një tjetër herë në praninë tuaj të gjithë punonjësit e shëndetësisë”, tha ai.

Erdogani theksoi gjithashtu se me masat e ndërmarra, krahas shëndetit të kombit tonë, po punohet për zgjidhjen e të gjitha problemeve duke filluar nga sigurimi i jetesës dhe plotësimi i nevojave të përditshme.

“Shteti i Republikës së Turqisë është pranë çdonjërit prej 83 milionë qytetarëve tanë me të gjitha kapacitetet e tij. Po ashtu, nëpërmjet ambasadave dhe konsullatave tona, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me qytetarët tanë rezidentë jashtë shtetit. Ne po ofrojmë lehtësirat e nevojshme brenda kornizës së kushteve ekzistuese duke u dhënë përparësi qytetarëve e studentëve tanë, të cilët dëshirojnë të kthehen në atdheun e tyre”, potencoi kreu i shtetit turk.

Të pranishëm në këtë mbledhje me videokonferencë ishin gjithashtu ministri i Thesarit dhe Financave – Berat Albayrak, drejtori i Komunikimeve të Presidencës – Fahrettin Altun dhe zëdhënësi i Presidencës – Ibrahim Kalin.

burimi:trtshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *