Valbona nën magjinë e dëborës (FOTO)

Lajme

Lugina e Valbonës këto ditë të para të 2021, të magjeps me bukurinë e bardhësisë së ofruar nga flokët e dëborës që kanë zbardhur malet e larta dhe pishat.

E kthyer në një oaz çlodhës dhe përkëdhelës për të gjithë, në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit, në këto ditë dimri Valbona ka pritur vizitorët e parë që  po shijojnë pamjen që ajo ofron.

Ky park kombëtar nuk njeh stinë, pasi vizitorë të shumtë e zgjedhin atë. Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror, por edhe atë të dimrit. Ndërkohë që turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Parku Kombëtar i Valbonës është një kompleksitet bukurish interesante, ashtu siç janë vetë Alpet Shqiptare.

Këtu bukuritë e natyrës marrin formën e majave shkëmbore të larta e imponuese me faqe të veshura me pyje mes të cilave shtrihen e ndihet rrjedha e përrenjve edhe e lumit të Valbonës.

E parë nga lart të ofron imazhin e një krateri gjigand të zbukuruar mrekullisht me të gjitha ngjyrat e natyrës së gjallë. Në hyrje të kufirit lindorë, në afërsi të Shoshanit, të impresionon një peizazh i rrallë për nga bukuria.

Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri, qendra e rrethit të Tropojës.

Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur”Lumi i Gashit”. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbone e Çerem.

Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte. /atsh/ KultPlus.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *